Skip navigation

Roli i Komunikimit Politik ne Marredheniet Nderkombetare

Prej shumë vitesh komunikimi politik ka qenë në qendër të vëmendjes së skenarëve politikë dhe institucionalë pothuajse në të gjitha vendet demokratike, duke u kthyer në një burim pushteti, mjet politik dhe instrument i rëndësishëm ndërmjet forcave politike, ekonomike dhe kulturore.
Është e natyrshme që raporti ndërmjet politikës dhe komunikimit ka ndryshuar, por janë hulumtuar përpjekje të shumta dhe një rrugë e gjatë për të arritur rezultatet që prodhon sot ky raport i rëndësishëm në kuadrin e analizës së tij brenda spektrit të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Politikat globale janë mbizotëruar e vazhdojnë të mbizotërohen me ngjarje e konflikte të cilat i përcillen publikut të raportuara e të interpretuara nga pikëpamja politike. Fitorja mediatike e shek. XX, sidomos ajo e televizionit, e ka transformuar rrënjësisht komunikimin politik, madje deri në atë shkallë, sa sot është e vështirë të mendohet një politikë që nuk është edhe mediatike. I gjithë ky proces përmban një sërë vlerash shoqërore e politike, i cili ndikon edhe në rolin e komu-nikimit politik në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Përpara epokës së komunikimit masiv, shtetet i kishin ndërtuar marrëdhëniet e tyre kryesisht me dyer të mbyllura, me informacion tepër të kontrolluar e të kufizuar, madje shpesh në fshehtësi të plotë. Ishte diplomacia sekrete ajo që kontrollonte situatat. Kuptohet që në këto rrethana mesazhi politik prezantohej ekskluzivisht nga subjekte politike të përfshira në qeverisje. Zhvillimet e shek. XXI, rrëzimi i komunizmit dhe kalimi nga diktatura në demokracinë pluraliste hapi rrugën për një standard e cilësi të re në komunikimin politik dhe informimin e përditësuar.
Realiteti i ri ndërkombëtar krijoi një përmbajtje të re, ku më të rëndësishmit që kushtëzonin natyrën e komunikimit ishin elemente të tilla, si: natyra e kundërshtarit të përfshirë (aktorët politikë), mjedisi politik dhe mediatik.

Dinamika e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe roli i komunikimit në përkufizimin e cilësisë së tyre

Marrëdhëniet ndërkombëtare përfaqësojnë një dukuri e cila bart në vetvete një përmbajtje specifike, një strukturë dhe një karakter dinamik. Marrëdhëniet Ndërkombëtare formojnë një sistem përherë në lëvizje, edhe pse në këtë lëvizje ai përfton dimensione të caktuara dhe forma konkrete organizuese dhe funksionale. Në këtë kuadër, ndryshimet cilësore në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, janë shoqëruar edhe me ndryshime cilësore në fizionominë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare globale, në formën e sistemet e tyre dhe në ndryshimet përkatëse të rolit të aktorëve dhe faktorëve kryesorë në zhvillimin e komunikimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në përshtatje me këtë intensitet dhe evolucion të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, zhvillohet edhe komunikimi politik që i jetëson ato.
Roli i aktorëve nuk është i njëjtë në tërësinë e subjekteve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Një vështrim historik i këtij problemi na ofron mundësinë të kuptojmë se funksonimi i Marrë-dhënieve Ndërkombëtare dhe sidomos i komunikimit politik ndërkombëtar ka përcaktuar gjenerimin dhe funksionimin e mekanizmave ndërkombëtare. Është fakt që në këtë proces historik është krijuar një traditë që prezantohet në forma komunikimi të ndryshme; në ato që njihen si marrëdhënie dypalëshe, shumëpalëshe, marrëdhënie mes krerëve kryesorë të shteteve, të cilat kanë funksionuar me specifikat e tyre në të gjitha rastet që kanë shoqëruar evolucionin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Padyshim, periudha pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në fund të viteve ‘80, dëshmon për një lloj ngushtësie në lirshmërinë e komunikimit politik të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Realiteti ndërkombëtar karakterizohej nga ekzistenca e dy superfuqive kryesore që drejtonin në fakt dy sisteme kryesore politike, ekonomike dhe sociale. Komunikimi dypalësh në këtë situatë ndarjesh e përplasjesh mes dy sistemeve, ka bërë që marrëdhëniet dypalëshe të zhvillohen sidomos në lëmin diplomatik, kulturor, në një farë mase edhe në atë ekonomik. Në këtë drejtim kanë ndikuar sigurisht edhe marrëdhëniet tradicionale historike, sepse përballja ishte bërë e qartë dhe e rreptë mes dy sistemeve edhe përsa i përket formave të komunikimit midis tyre. Në këto kushte, komunikimi shfaqi vështirësi e kontradikta, për shkak të faktit se mes dy superfuqive lidhjet janë shfaqur në formë papajtueshmërie gati ekstremiste. Kontaktet dhe komunikimi në këto kushte ka qenë më shumë shprehje e përplasjes mes interesave strategjike, sesa e nevojës së një komunikimi të lirë dhe në interes të njerëzimit; një komunikim fragmentarizues dhe jo i pandërprerë.
Studimi i formave tradicionale të komunikimit dypalësh e shumëpalësh në periudhën e Luftës së Ftohtë, shfaq interes për të analizuar faktin se si u krijuan mundësitë që komunikimi politik, edhe pse i ngushtë, edhe pse i vështirë, edhe pse në themel kontadiktor, të mbijetonte si element i rëndësishem i dinamikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Pikërisht ky relacion, me këtë karakter të kufizuar e në themel kontradiktor, ka përcaktuar edhe cilësinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, por edhe të vetë komunikimit politik.
Komunikimi politik mes SHBA dhe BS gjatë Luftës së Ftohtë
Për vetë karakteristikat thelbësore që paraqet komunikimi politik mes dy superfuqive SHBA e BS gjatë Luftës së Ftohtë, ai meriton të trajtohet si një çështje tërësisht specifike. Përmbajtja konkrete e këtij komunikimi, vlerat, format e realizimit dhe efektiviteti i këtij komunikimi, janë pjesë e një realiteti kontradiktor, pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtar në lëvizje, në përputhje me interesat themelore strategjike e të dyja sistemeve kryesore, të cilat janë përqasur duke manifestuar marrëdhënie të tensionuara, me garë të shfrenuar armatimi, por edhe në “bashkekzistencë paqësore” e “detante”. Natyrisht, edhe pse në ekstremitete e kontakte tashmë më të shpeshta, nuk është ndëprerë gara e armatimeve dhe prirja për të fituar epërsi ushtarake e influencë. Madje, kjo prirje ka përcaktuar ashpërsimin e marrëdhënieve, tensione, reduktim të komunikimeve apo edhe të retorikave të ashpra. Megjithatë, vihet re dukuria që në raport me gatishmërinë e përgjegjshmërinë ndërkombëtare, për të shmangur një luftë të re botërore, për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare janë mbajtur të hapura kanalet e komunikimit publik apo të fshehta qofshin ato.
Një vështrim i kujdesshëm i përmbajtjes së marrëdhënieve mes superfuqive në këtë periudhë, na lejon të konstatojmë faktin se lidhja mes dy superfuqive dhe dy sistemeve ka qenë një proces me një përmbajtje dhe histori konkrete, e cila duhet mbajtur në konsideratë për të kuptuar format e komunikimit. Analiza e përmbajtjes së lidhjes mes dy superfuqive e dy sistemeve dëshmon për dy karakteristikat kryesore:
– Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe deri në mesin e viteve ‘60, marrëdhëniet mes dy sistemeve dhe dy superfuqive u karakterizuan nga përplasja, armiqësia ekstreme, gara e shfrenuar e armatimeve, përpjekja për epërsi dhe zgjerim të zonave të influencës. Të gjitha këto kishin në themel mungesën e besimit reciprok mes tyre, çka i hapi rrugën një lufte të egër mes shërbimeve sekrete të të dyja superfuqive dhe në tërësi të dy sistemeve. Kjo karakteristikë ka ndikuar ndjeshëm në hapësirën, përmbajtjen, format, cilësinë dhe efektivitetin e komunikimit politik mes dy fuqive të mëdha.
– Nga mesi i viteve ‘60 dhe deri në mesin e viteve ‘70, konstatohet një ndryshim i ndjeshëm në marrëdhëniet mes dy superfuqive dhe dy sistemeve kryesore. Ky ndryshim erdhi si rezultat i veprimeve të disa faktorëve, të zhvillimeve brenda secilit sistem. Gara e shfrenuar e armatimeve dhe politikat konfliktuale përplasëse kishin krijuar një kosto të lartë ekonomike dhe financiare që rëndonte buxhetet e tyre. Ky faktor duhet llogaritur në ndryshimin e ndjeshëm të marrëdhënieve mes dy sistemeve, apo e thënë ndryshe, që krijuan një cilësi të re që përfshinte tashmë më shumë komunikim, dialog dhe nevojë për komunikim të pandërprerë mes tyre. Në këtë drejtim, padyshim ndikuan zhvillimet që lidhen me Kongresin e 20 – të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. John Foster Dalles, në një intervistë publike të dhënë tre vjet pas zhvillimit të Kongresit të 20 – të, deklaron publikisht: “Ka shenja të ekzistencës në BS të forcave që kanë prirje nga Liberalizmi i Madh. Në rast se këto forca do të arrijnë të qëndrojnë në këmbë, atëherë ka për të ndodhur me siguri një ndryshim cilësor”. Kjo deklaratë është dëshmi e qartë e interesave që tashmë ishin pjekur në të dy krahët, për t’u marrë vesh mes tyre dhe për të lehtësuar shpenzimet e tepërta financiare për garën e shfrenuar të armatimeve për luftë.
Analiza apo vëzhgimi i dokumenteve të kohës dëshmon se ka një retorikë të re, krejt të ndryshme nga e mëparshmja, ku evidentohet edhe nevoja, por edhe hapat konkretë për dialog e bashkëpunim mes dy superfuqive. Në këtë periudhë lulëzoi ndjeshëm në të dyja krahët koncepti i bashkekzistencës paqësore. Të dyja palët, edhe pse erdhën në nivelin e nevojës për dialog, nuk hiqnin dorë nga interesat e tyre strategjike.
Mbi këtë bazë, midis tyre zhvillohej një luftë e ftohtë për zona influence dhe epërsi në fusha të ndryshme, si ekonomia, teknologjia, shkenca, kultura, ideologjia e deri tek udhëtimet kozmike. Mbi këtë bazë shfaqen veçori në propagandën e të dyja vendeve dhe ndryshime rrënjësore në strategjitë e komunikimit e fushat e bashkëpunimit mes tyre, të cilat edhe pse të rezervuara e të kufizuara, krijuan një frymëmarrje të re në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, një cilësi të re të sistemit të tyre. Në përputhje me ndryshimet e brendshme me BS dhe satelitët e tij, si Polonia, Hungaria, Cekosllovakia, e në mënyrë të veçantë SHBA dhe Perëndimi në tërësi, edhe pse shfaqte nevojën për komunikim e bashkëpunim, përgatiste strategji e platforma për të siguruar epërsi strategjike mbi kundërshtarin. SHBA ndërtuan atë që njihet si “politika e vendosjes së urave” ndërmjet Lindjes e Perëndimit, që përmbante në thelb një garë midis dy realiteteve, midis dy niveleve të jetesës, midis dy standardeve për liritë e të drejtat e njeriut e të lëvizjes së lirë të njerëzve, midis dy koncepteve për lirinë e individit etj. Kjo garë përmbante në vetvete sigurimin e epërsisë dhe të fitores mbi kundërshtarin.
Kjo strategji, natyrisht që i shërbeu paqes, sigurisë ndërkombëtare, por nuk mund të kënaqte bosët e industrisë së luftës dhe ata që kërkonin një fitore sa më të shpejtë mbi kundështarin. Këto ishin arsyet kryesore që sollën një ndryshim rrënjësor në mesin e viteve ‘70. BS kishte siguruar një lloj epërsie në det e në ajër në lëmin ushtarak, por më e dukshme kjo epërsi u bë me hedhjen e satelitëve. SHBA kuptuan se forca dhe fuqia tashmë nuk mund të ishte e barabartë dhe kjo mund të rrezikonte barazinë mes dy superfuqive. Kjo rrethanë shërbeu si faktor në përgatitjen dhe shpalljen e asaj që njihet si “Doktrina Regan e Luftës së Yjeve”. Tashmë, njëra nga superfuqitë, SHBA, mendon se fitorja mbi kundërshtarin mund të arrihet jo me ulje tensioni, por me trysni e demonstrim të forcës e të epërsisë ekonomike, politike e sociale mbi superfuqinë tjetër. Doktrina Regan përmbante idenë se në rrugën e demonstrimit të forcës do t’i shërbehet më mirë idesë së interesit për rrëzimin e komunizmit. Kështu filloi një dukuri dhe prirje e re tensionimi në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe sidomos mes dy sistemeve kryesore, e cila nuk mund të mos ndikonte në komunikimin politik. Mbi këtë realitet zhvillimesh merr rrugë edhe një formë konkrete komunikimi, e cila filloi të përfshijë:
– Takime direkte mes dy krerëve të superfuqive. Kështu u zhvilluan disa takime në Vienë, Helsinki etj., mes presidentëve të SHBA dhe kreut të BS, Brezhnjev, kryesisht për marrëveshjen për kufizimin e armëve bërthamore.
– Takime mes krerëve në organizmat ndërkombëtarë, si OKB, KSBE, por edhe G7, që megjithëse ishte një grupim perëndimor, hapi traditën e thirrjes në takim edhe të BS.
– Shprehje e nevojës për komunikim për të përballuar ngjarjet që kërcënonin sigurinë dhe paqen botërore, ishte dhe vendosja e kontakteve direkte telefonike midis dy krerëve të superfuqive, që njihet si “teletajpi i kuq”. Analiza e këtyre formave të komunikimit mes dy superfuqive në këtë periudhë tregon jo vetëm veçorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe efektivitetin që ato shfaqën, sidomos për të garantuar paqen botërore.
– Për vetë faktin se lidhet me një veçori historike në zhvillimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ka interes të evidentohet më vete mënyra dhe përmbajtja e komunikimit mes Bushit, Gorbaçovit dhe Kohlit, si dhe të stafeve të tyre të ngushtë në periudhën e rënies së Murit të Berlinit, që shënoi përshpejtimin e procesit të rrëzimit të komunizmit. Ky komunikim dëshmon mënyrën se si krerët më të lartë të aktorëve të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare njohin thelbin e procesit që zhvillohet realisht dhe gjejnë mekanizmat, format dhe rrugët që mundësojnë kurorëzimin e këtij procesi. Edhe pse jo të gjithë kishin të njëjtën njohje, edhe pse kishin dyshime mes tyre, edhe pse interesat nuk përputheshin plotësisht, edhe pse aleatë të rëndësishëm, si Anglia e Franca ishin tepër skeptikë, për shkak të historisë të dy luftërave botërore, komunikimi politik i vendosur mes Bushti, Gorbaçovit dhe Kohlit, ishte thelbësor në kurorëzimin e këtij procesi drejt një ndryshimi cilësor të pamenduar më parë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Komunikimi politik dhe informimi i opinionit publik
Komunikimi dhe informimi politik përbëjnë një proces që përfshin në vetvete edhe standardet e realizimit të tij. Në këtë drejtim spikat një dukuri e re e teknikave, formave të realizimit të komunikimit dhe informimit të opinionit publik. Ajo që bie n ë sy është fakti se është zgjeruar mekanizmi i realizimit të këtij informimi, duke përfshirë standarde më demokratike, që kanë brenda një vëllim më të gjerë të informacionit, shpejtësi informacioni, vërtetësi dhe alternativa që mbartin interesa të pashmangshme politike ndërshtetërore. Në shkencën politike, tashmë ka një traditë që po zhvillohet lidhur me studimin e këtyre formave dhe standardeve, të cilët i shërbejnë direkt formimit dhe informimit cilësor të opinionit publik.
Për herë të parë termi “opinion publik” është përdorur në vitin 1781, dhe sipas Habermasit, i referohet “reflektimit kritik të një publiku (borgjez) të aftë për të formuluar gjykimet e veta”. Me të u arrit një shndërrim rrënjësor në komunikimin politik ndërmjet organizmave qeverisës dhe të të qeverisurve. Komunikimi në sistemin politik monarkik apo autokratik ishte vetëm “nga lart”; thjeshtësisht shpallej përpara të qeverisurve. Ndërsa opinioni publik nuk kufizohet vetëm me informacionin për të. Ai ngërthen në vetvete vlerësimin, komentin, kritikën, debatin në përgjithësi dhe aksionin konkret si “pronë publike”. Në tërë këtë proces u evidentua roli i medias si mjet përçues i lajmit dhe i pasqyrimeve të diskutimeve të opinionit publik.
Mund të themi se opinioni publik bën që autoriteti i shtetit të monitorohet publikisht përmes diskutimit kritik nga populli. Njëherazi opinioni publik është konceptuar edhe si “sferë publike”. Sipas Jozef Erustinit, sfera publike është ajo hapësirë e dallueshme diskutimesh (me transmetimin e fakteve, opinioneve), në të cilën individët ndërthuren në mënyrë të tillë që të jenë të aftë të organizohen për aksionin kolektiv politik. Sipas Kraus dhe Deivis, studiues të komunikimit politik, epoka moderne e marrëdhenieve politike me publikun nis me debatet presidenciale Nikson – Kennedy, më 26 shtator të vitit 1960.
Në trajtimin e kësaj çështjeje vendi kryesor i takon komunikuesit – politikanit, i cili i drejtohet drejtpërdrejt audiencës masive dhe zotëron hapësirën e domosdoshme për të bërë politikë. Ndërkaq, politikani është shumë më i hapur për dobësitë e tij e mangësitë në formim, të cilat i transmetohen atypëraty dëgjuesve.
Kjo është arsyeja që në vendet e tjera nuk praktikohen debatet ndërmjet politikanëve të lartë. Në rastin e Britanisë, ndryshe nga SHBA, kryeministri dhe opozitarët e tij debatojnë drejtpërdrejt në televizion gjatë seancave në Dhomën e Komunikimit të quajtur Question Time – Koha e Ballafaqimit me Kryeministrin. Formë tjetër janë seancat e intervistave të kryeministrit dhe debatet e drejtpërdrejta që përfshin gazetarë dhe pjesëtarë të publikut, si në Ask the Prime Minister (ITV) Question Time (BBC) Newanight (BBC2).
Në realitetin informativ, gjithnjë e më shumë kanë zënë vend informimet e opinionit publik për takime dypalëshe të krerëve të lartë, të aktorëve të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare. Informimi për këto takime, për shkak të interesit të lartë dhe të ngjarjeve që i ka shoqëruar ato, janë bërë objekt interpretimi e studimi, që i kanë hapur rrugën përdorimit të standardeve më të larta që mundësojnë informim tejet të plotë, duke kufizuar formën e vjetër të fshehtësisë apo të rezervimit sekret të informacionit. Cilësia e re e sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare e ka bërë më të hapur informacionin, por dhe e ka rritur interesin e opinionit të gjerë publik për përmbajtjen e komunikimit, të aktorëve që tashmë nuk shfaqen në formën e dy superfuqive kryesore, por në formën e takimit të tipit G7, G20 etj.
Është fakt që tashmë është përformësuar në përgjithësi një cilësi e re e marrëdhënieve ndërkombëtare, pas rrëzimit të komunizmit. Natyrisht procesi është në formësim, edhe pse mungon aktualisht një teori e re politike në përshtatje me cilësinë e re, drejt së cilës po ecën konturimi i sistemet të ri të rendit botëror. Është e natyrshme gjithashtu që si element i kësaj cilësie të zërë vendin që i takon edhe një cilësi e re në komunikimin politik dhe informimin e opinionit publik. Kjo cilësi e re, sipas mendimit tim, ka si përbërës hapjen, zgjerimin e informacionit dhe rritjen e interesit të opinionit publik për komunikimin politik ndërmjet aktorëve kryesorë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Tashmë ka një marrëdhënie të re midis këtyre dy cilësive, si një shprehje e qartë e një demokratizimi të marrëdhënieve ndërkombëtare, por dhe të vetë informacionit.
Natyrisht, këto procese janë në lëvizje dhe studimi në këtë fazë mund të mos përfundojë në konkluzione të qëndrueshme, por ama ato mundësojnë konstatimin se po ecet drejt një ere të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, drejt komunikimit politik dhe informimit të opinionit publik.

—————————————————

NUK KEMI KOHE PER TE HUMBUR!

“U Donih Gjoni,biri hi Bdek Buzukut,

tue u kujtuom shumë herë se gluha jonëh,
nukë kish gjaa të endigluom ensëh shkruomit shenjtë,

ensëh dashunit sëh botësë sanëh,

desha me u fëdigunëh për saa mujtah meh ditunëh,

meh zdritunë  pak mendetë e atyneh qi t’eh endiglonjinëh…”

Një mesazh i lashtë vjen për ne shqiptarët, nga njëri prej gjakut tonë, Gjon Buzukut, në dokumentin e hershëm të shkrimit shpip, Mesharit. Po e sjell në fillim të shkrimit për mesazhin mëse aktual që përcjell për dije e kulturë. Është një nevojë e përhershme dhe e domosdoshme për progres e qytetërim. Është aktual për shkak të deformimeve që ka shfaqur procesi demokratik në Shqipëri, është i vlefshëm për zotërimin efektiv të demokracisë. Mesazhi i Buzukut është një thirrje për obligim qytetar, për qeverisësit e të qeverisurit në vendin tonë, është një thirrje që i drejtohet të gjitha forcave politike. Neglizhimi i kësaj nevoje e spontaneiteti, në të shumtën e rasteve i ka hapur rrugë mediokritetit, sharlatanizmit, arrogancës, vulgaritetit e edukatës së ulët të komunikimit mes vetë politikanëve, marrëdhënieve me paragjykime e mosbesim mes tyre e të qeverisurve. Për të mos u zgjatur, ndihet një nevojë e mprehtë për kulturë demokratike, për të dyja palët. Ndihet nevojë për dije e shprehi demokratike, për ushtrim demokratik, për harmonizimin e tyre në veprimtarinë praktike.

Cilësia e qeverisjes përcaktohet në një masë të konsiderueshme nga niveli i aftësimit kulturor të dy elementëve kryesorë të ushtrimit të demokracisë: të qeverisësve dhe të qeverisurve. Kjo e vërtetë i përket çdo forme e procesi demokratik, por merr një rëndësi të veçantë, përbën një problematikë specifike dhe kërkon përpjekje serioze për demokracitë e reja që erdhën në jete si pjesë e procesit të kalimit nga diktatura komuniste në demokracinë pluraliste. Rasti shqiptar është një objekt tepër interesant studimi, i cili shfaq veçori, dukuri e probleme që po e mbajnë për një kohë të gjatë të rrezikuar demokracinë shqiptare.

Abraham Lincoln, presidenti i shquar i SHBA, ka dhënë një përkufizim për qeverisjen e demokracisë liberale si “government of, by, and, for the people” (qeveri e popullit, për dhe me popullin). Ende sot ky përkufizim konsiderohet si më i ploti në lidhje me çështjen e qeverisësve dhe të qeverisurve. Dhe, siç dihet, legjitimiteti i qeverisjes së demokracisë realizohet me pëlqimin e të qeverisurve. Elektorati masiv vendos se kush do të qeverisë dhe po ky elektorat gëzon të drejtën legjitime të kontrollojë e të vlerësojë përgjegjshmërinë e atyre që qeverisin, nëpërmjet zgjedhjeve të rregullta e periodike. Por në praktikë formohen marrëdhënie me ngarkesa të dukshme jo demokratike, të deformuara, edhe pse institucionet janë demokratike dhe legjislacioni është po ashtu demokratik. Në shfaqjen e këtij kompleksiteti elementësh jo demokratikë ndikojnë shumë faktorë e interesa. Dihet që në politikë ka një etje për pushtet, e cila dëmton cilësine e demokracisë. Kjo për faktin se tek pushteti ekziston mundësia, që për interesa egoiste të nxitet një marrëdhënie konfliktuale, që mund të çojë në ndarjen e shoqërisë në zotërues e të zotëruar. Pra në një farë mënyre pranohet mundësia e ligjërimit të dhunës. Ka një dhunë që vjen nga pasionet, por edhe një dhunë që vjen nga arsyeja. Ngjarjet kanë treguar që në emër të arsyes revolucionare, në shoqëritë totalitariste u kryen krime të rënda e privime të skajshme të lirive e të drejtave të njeriut. Në emër të diktaturës së proletariatit justifikohej moralisht e juridikisht dhuna e ndjeshme në shoqëri. Kjo dhunë bëhet më e rrezikshme për demokracinë, kur shoqërohet me përhapje të gjerë të korrupsionit e kapje të shtetit nga krimi.

Por, dhuna fiton terren edhe kur vërehet një tërheqje dore “kolektive” nga pjesëmarrja në politikë e në procesin demokratik. Kjo sjell një lloj robërie vullnetare apo një nënshtrim fatal ndaj dhunës. Politika dhe demokracia janë edhe pjesëmarrje, edhe çështje komunikimi. Antarët e shoqërisë nuk lejojnë as teknicienët e as burokracinë e korruptuar të drejtojnë politikën, duke shmangur të qeverisurit. Përmes pjesëmarrjes e komunikimit, përmes diskutimit e tërheqjes së mendimit të të qeverisurve, turma shndërrohet në publik.

Që prej vitit 1871, vit në të cilin u përdor për herë të parë termi “opinion publik” nga Habermas, u arrit nje shndërrim rrënjësor në komunikimin politik, ndërmjet organizmave qeverisëse dhe të të qeverisurve, duke përfshirë vlerësimin, komentin, kritikën, debatin dhe aksionin konkret si “pronë publike”. Por përsa i përket opinionit publik në Shqipëri, konstatohet se nuk ekziston një sistem politik perfekt për të gjithë masën e gjerë. Sigurisht që parapëlqimet dhe bindjet do të jenë të ndryshme e të shumëllojshme. Çështja është si bashkëpunojnë qeverisësit me të qeverisurit? Në realitetin shqiptar dukuria më e dallueshme është se nuk ka harmonizim të plotë demokratik në marrëdhëniet politikan – qytetar. Realiteti ynë dëshmon për marrëdhënie fragmentare mes politikanit e qytetarit. Në të vërtetë është një marrëdhënie me shumë nga lart poshtë, sesa dialog e bashkëpunim, ka pak ose aspak tërheqje mendimi në procesin  e përgatitjes së ligjeve, ka më shumë premtime të fryra paraelektorale dhe pak llogaridhënie. Kjo ka dobësuar besimin e shoqërisë ndaj ligjvënësve e politikanëve. Kështu, edhe në sistemet demokratike ka të tilla dukuri, ku disa jane të etur për ndarje e grindje e që i bëjnë pritë progresit të shoqërisë, por ka dhe nga ata që dorëzohen e humbin shpresën e besimin për të ardhmen demokratike të vendit, të cilët i gjejmë në formën e pohimeve fatalistë “ky vend nuk bëhet”, sepse “ne shqiptarët nuk qytetërohemi kurre”. Gjithashtu hasim edhe skeptikë kundrejt ndryshimit e progresit demokratik. Mes nesh ka interesa që na ndajnë, por ka dhe interesa që na bashkojnë. Të gjithë ne e ndajmë së bashku vendin tonë për një periudhë të caktuar të jetës, prandaj pjesëmarrja, dialogu e bashkëpunimi janë të domosdoshëm.

Procesi demokratik nuk është një dukuri spontane, por një sistem i organizuar, i qëllimtë e mbi të gjitha i ndriçuar. Demokracia, ndër të tjera, është një sistem rregullash. Është përgjegjësi e plotë e politikanëve të luajnë sipas rregullave të caktuar, në bazë të të cilëve ata të hartojnë edhe planet apo strategjitë afatgjata, për një politikë largpamëse e për një demokraci të konsoliduar, në shërbim të popullit dhe jo të interesave katërmurëshe partiake.

Ndonëse ka përparuar ndjeshëm mënyra e të konceptuarit të shumë dukurive, fjalori politik sot lë për të dëshiruar. Janë të paktë modelet “demokratikë” që mund të gjejmë në miksazhin e politikanëve shqiptarë. Një nga problemet kryesore të kësaj dukurie është fakti se shumë politikanë nuk paraqiten në publik me mendimin e tyre të lirë dhe mund të pohojmë me bindje se mungon (ose ka frikë të shfaqet) modeli i të menduarit “ndryshe”. Një pjesë e tyre nuk dinë, një pjesë tjetër nuk duan, dhe fatkeqësisht një pjesë tjetër as nuk dinë e as nuk duan. Qëndron jashtë çdo lloj paragjykimi pjesa e atyre që nuk dinë. Nga ana tjetër, politikanët e rinj po përpiqen të sjellin formate të reja e të integrojnë platforma të ndërtuara mirë. Edhe pse shumë prej tyre mbeten zëra në minorancë, mund të jenë premtues për të ardhmen. Shqetësuese është mungesa e standardeve të përzgjedhjes së politikanëve të rinj dhe negative është dukuria e përshtatjes së tyre me nivelin aktual të komunikimit politik dhe në veprimtaritë politike në tërësi. Pjesa e politikanëve që nuk duan është e dhimbshme, madje deri diku e rrezikshme. Këta politikanë kanë vendosur një sërë standardesh jetese dhe e kanë parë (e shohin) politikën si një parcelë përfitimesh e jo kontributesh. Një pjesë e konsiderueshme politikanësh janë ata që as nuk dinë e as nuk duan. Ata bëhen automatikisht pjesë e regresit dhe jo e progresit, duke qenë të bindur në protagonizmin e tyre të dijeve.

Një tjetër problem madhor është mungesa e kohës që i atribuohet procesit të kalimit nga zgjedhja në zgjidhje. Ideve të mira nuk u jepet koha e duhur për realizim. Analiza që u bëhet problematikave të ndryshme dhe koha që i vendoset në dispozicion për zgjidhje është e pamjaftueshme, e si rrjedhojë, nuk kontribuon në standardizimin e jetës. Nga ana tjetër, për të realizuar idetë nevojiten mekanizmat. Nga momenti që këto mekanizma janë të deformuar, apo mungojnë tërësisht, nuk mund të flitet për realizime konkrete. Procesi i politikëbërjes demokratike ndërgjegjësohet kur ngrihen strukturat dhe mekanizmat e dijes, si dhe ato të aftësimit praktik demokratik. Demokracia është një ushtrim i mbështetur në dije. Cilësia e saj varet nga fakti se ç’peshë zë në këtë marrëdhënie dituria, dija demokratike, kultura demokratike. Kjo për faktin se nuk mjafton vendosja e institucioneve e mekanizmave të demokracisë, por rëndësi të vecantë ka fakti se si i njohin dhe i vlerësojnë ato qytetarët.

Në Shqipëri ka një mangësi të kulturës politike të kultivuar dhe ky është fakt. Kjo është një e vërtetë fatkeqësisht për të dyja palët, por shqetësimi më i madh është se nuk ka shenja ndërgjegjësimi të mjaftueshëm për këtë mangësi nga politika në tërësi dhe nga shoqëria civile. Nuk kemi kohë për të humbur. Kërkohet  reflektim sa më i shpejtë, përgjegjshmëri për korrigjim dhe moral. Politika e do moralin, por fatkeqësisht ajo shpesh trajtohet si një gozhdë për të varur xhaketën.

——————————————————————

Shqiperia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Kosovadrej paqes dhe stabilitetit ne rajon
Në fillim të viteve ’90 ballkani hyri në një proces ndryshimi rrënjësor. Elementi më i rëndësishëm ishte shpërbërja e ish Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të pavarura që dolën nga ky proces. Element i rëndësishëm në Ballkan u bë dermokratizimi i tij. Procesetdemokratike në Ballkan krijuan një frymëmarrje të re në marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale. Në këtë cilësi të re marrëdhëniesh zunë vend gjithnjë e më shumë mirëbesimi reciprok, angazhimi rajonal për stabilitetin, paqen e sigurinë, aleancat për zhvillime të qëndrueshme ekonomike dhe shkëmbime kulturore. Pjesë e rëndësishme e cilësisë së re e marrëdhënieve në Ballkan u bë procesi i integrimit në BE dhe në NATO. Anëtarësimi në strukturat euroatlantike u bë drejtim kryesor i cdo shteti sovran të Ballkanit. Përvec kësaj prirje dominante, si një risi e re pozitive, mori udhë procesi i integrimit rajonal mes vendeve ballkanike, që u konkretizua në nënshkrimin e marrëveshjeve për tregtinë e lirë, si dhe pjesëmarrja në disa organizata rajonale. Natyrisht edhe pse përvetësuan objektiva strategjikë të përbashkët, anëtarësimi në strukturat euroatlantike u realizua në përputhje me arritjet dhe plotësimin e standardeve nga secili vend. Tashmë Sllovenia, Rumania e Bullgaria janë anëtare të BE e NATO. Kroacia është në prag të anërarësimit, ndërkohë që Maqedonia ka sigururar statusin kandidat, Shqipëria është në pritje të marrë këtë status. Shqipëria dhe Kroacia tashmë janë anëtare të NATO. Për të kuptuar ndryshimet cilësore në Ballkan, duket të mbajmë parasysh faktin se Ballkani kishte dy shtete anëtare të NATO, dhe Greqinë edhe në BE. Serbia dhe Mali i Zi kanë shpallur angazhimin serioz për anëtarësimin e tyre në BE; për shkak të një pozicioni të papërcaktuar Serbia është ende në dilemën e përcaktimit të saj mes BE, SHBA e Rusi. Kjo e ka bërë Serbinë si të vetmin vend Ballkanik që akoma nuk e ka marrë vendimin përfundimtar për anëtarësimin në NATO, edhe pse është anëtarësuar në procesin e partneritetit për paqe. Në këto rrethana procesi më i rëndësishëm që sot është në qendër të vëmendjes së rajonit e të BE është integrimi në BE dhe në NATO i atij që quhet ballkani perëndimor, ku përfshihet tashmë edhe Kosova.

Ballkani tani është kthyer nga përvetësues në prodhues të sigurisë, stabilitetit dhe paqes.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: